Secondary Adv

Malaj: Parashikohen 2.2 mld euro investime publike, 100 mln euro pagesa për koncesionet

Projektbuxheti 2027 parashikon 200.3 miliardë lekë investime publike dhe 10.05 miliardë lekë për koncesionet dhe PPP-të.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi në Komisionin Parlamentar prioritetet kryesore të projektbuxhetit për vitin 2027, duke u ndalur te rritja e të ardhurave, financimi i investimeve publike, mbështetja e politikave sociale dhe detyrimet për kontratat koncesionare. Sipas tij, buxheti i vitit të ardhshëm parashikon rreth 2.2 miliardë euro investime publike dhe afërsisht 100 milionë euro pagesa për koncesionet dhe partneritetet publike-private (PPP). Ndër prioritetet e tjera përfshihen rritja e mbështetjes për pensionistët, përfshirë dyfishimin e bonuseve, financimi i bursave për studentët dhe zgjerimi i politikave të strehimit social.


Ministri Malaj deklaroi se të ardhurat buxhetore për vitin 2027 parashikohen të arrijnë në 907.9 miliardë lekë, ose rreth 9.4 miliardë euro, duke përfaqësuar 30.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Pjesa më e madhe e këtyre të ardhurave pritet të sigurohet nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), tatimi mbi fitimin, akcizat, tatimi mbi të ardhurat personale dhe të ardhurat doganore.


Të ardhurat nga TVSH pritet të arrijnë 275.4 miliardë lekë

Një nga burimet kryesore të të ardhurave buxhetore mbetet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Sipas Ministrit të Financave, arkëtimet nga TVSH-ja për vitin 2027 parashikohen në rreth 275.4 miliardë lekë, ose 25.5 miliardë lekë më shumë se pritshmëria e vitit 2026, duke shënuar një rritje prej 10.2%.


“Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, për vitin 2027, ato parashikohet të jenë rreth 275.4 miliardë lekë, ose 25.5 miliardë lekë ose 10.2% më shumë se pritshmëria e vitit 2026”, deklaroi Malaj.


Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, rritja ekonomike pritet të gjenerojë 6.8 miliardë lekë të ardhura shtesë nga TVSH-ja, ndërsa ndikimi i indeksit të çmimeve përllogaritet në 5.2 miliardë lekë. Zbatimi i masave të mëparshme tatimore, përfshirë skemën e kompensimit të fermerëve, pritet të ketë një efekt negativ prej 1.5 miliardë lekësh.


Ndërkohë, masat e SAA për përmirësimin e administrimit të TVSH-së parashikohet të sjellin 4.5 miliardë lekë të ardhura shtesë gjatë vitit 2027. Korrigjimet e bazuara në faktorë të tjerë, përfshirë efektet në TVSH nga investimet e mëdha që pritet të realizohen gjatë vitit, përllogariten në 7.3 miliardë lekë.


Rriten të ardhurat nga tatimi mbi fitimin, akcizat dhe tatimi mbi të ardhurat personale

Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin parashikohen të arrijnë në 62.1 miliardë lekë gjatë vitit 2027, ose 5.1 miliardë lekë më shumë se pritshmëria për vitin 2026. Sipas Ministrisë së Financave, kjo rritje reflekton efektet e përmirësimit të administrimit tatimor dhe ndryshimet e propozuara në projektligjin për procedurat tatimore, të cilat synojnë rritjen e pagesave të kësteve të tatimit mbi fitimin.


Arkëtimet nga akcizat pritet të arrijnë në 80.6 miliardë lekë, me një rritje prej 9.4% krahasuar me nivelin e pritshëm të vitit 2026. Kjo rritje mbështetet kryesisht në zbatimin e kalendarit të ri të rritjes së akcizës së produkteve të duhanit. Ndërkohë, tatimi mbi të ardhurat personale parashikohet të gjenerojë rreth 107.4 miliardë lekë, ose 10 miliardë lekë më shumë se pritshmëria e vitit 2026, duke shënuar një rritje prej 10.3%.


Për kategorinë “Taksa Nacionale dhe të tjera”, të ardhurat e vitit 2027 janë parashikuar në rreth 46.5 miliardë lekë, me një rënie prej 1.8 miliardë lekësh, ose 3.6%, krahasuar me pritshmërinë e vitit 2026. Sipas ministrit, kjo ulje lidhet me transferimin e taksës së qarkullimit nga karburantet te mjetet, ndryshim që pritet të ketë një efekt negativ prej 5 miliardë lekësh në buxhet. Sa u përket taksave doganore, Malaj paraqiti një parashikim prej 11.5 miliardë lekësh, ose 1 miliard lekë dhe 9.1% më shumë se niveli i pritshëm i vitit 2026.


Shpenzimet buxhetore arrijnë 976.1 miliardë lekë, 700 milionë euro më shumë se në 2026

Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit të shtetit për vitin 2027 parashikohen në 976.1 miliardë lekë, ose rreth 33.3% të PBB-së. Krahasuar me planin e rishikuar të shpenzimeve gjatë vitit 2026, projektbuxheti parashikon një rritje prej 69.3 miliardë lekësh, ekuivalente me rreth 700 milionë euro shpenzime shtesë.


Një pjesë e konsiderueshme e fondeve do të përdoret për financimin e arsimit, teknologjisë, bujqësisë, infrastrukturës dhe mbështetjes së sipërmarrjes. Për arsimin e lartë janë parashikuar 12.9 miliardë lekë, nga të cilat 1.1 miliardë lekë do të përdoren për bursa për studentët në nevojë dhe studentët ekselentë. Për mirëmbajtjen e sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe forcimin e sigurisë kibernetike janë planifikuar 7.9 miliardë lekë, ndërsa skemat mbështetëse për fermerët dhe zhvillimin rural do të financohen me 5.3 miliardë lekë.


Projektbuxheti parashikon gjithashtu 3.6 miliardë lekë për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar dhe aseteve publike, si dhe 1 miliard lekë për mbështetjen e zhvillimit ekonomik, inovacionit dhe sipërmarrjes.


Subvencionet rriten me 500 milionë lekë, 745 milionë lekë për strehimin social

Shpenzimet për subvencione gjatë vitit 2027 planifikohen në 2.45 miliardë lekë, rreth 500 milionë lekë më shumë krahasuar me vitin 2026. Këto fonde do të përqendrohen kryesisht në programet e nxitjes së punësimit, mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve dhe mbulimin e një pjese të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore. Vetëm për programet e nxitjes së punësimit janë parashikuar 1.2 miliardë lekë.


Një tjetër prioritet i projektbuxhetit është strehimi social, për të cilin janë planifikuar 745 milionë lekë. Fondet do të përdoren për vijimin e skemës së mbështetjes me kredi për familjet e pastreha, duke përfshirë edhe skemën e re të kredive me norma interesi të lehtësuara për të punësuarit në administratën publike.


20 miliardë lekë për bonusin mujor të pensionistëve, 805 mijë përfitues në fund të vitit 2027

Politikat sociale dhe rritja e mirëqenies përbëjnë një nga shtyllat kryesore të projektbuxhetit për vitin 2027. Sipas Ministrit të Financave, shpenzimet për fondet speciale planifikohen në 313.9 miliardë lekë, nga të cilat 215.6 miliardë lekë, ose 7.3% e PBB-së, do të përdoren për financimin e Skemës së Sigurimeve Shoqërore.


Për indeksimin dhe politikat e reja të pensioneve është parashikuar një fond prej rreth 4 miliardë lekësh, ndërsa 20 miliardë lekë të tjera do të financojnë bonusin mujor për pensionistët. Projektbuxheti siguron gjithashtu financimin e plotë të shtesës natyrore të përfituesve të skemës së pensioneve.


Sipas parashikimeve, në fund të vitit 2027 numri i pensionistëve në të gjitha kategoritë pritet të arrijë në rreth 805 mijë persona. Ndërkohë, sistemi i mbështetjes me të ardhura do të përfshijë rreth 850 mijë persona, duke llogaritur pensionet publike, pensionet suplementare dhe trajtimet e veçanta.


Investimet publike arrijnë 200.3 miliardë lekë, financim për rrugë dhe hekurudha

Investimet publike për vitin 2027 janë planifikuar në masën 200.3 miliardë lekë, ose 6.9% të PBB-së, duke shënuar një rritje prej rreth 24.1 miliardë lekësh krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2026. Sipas Ministrit Petrit Malaj, pjesa më e madhe e këtyre fondeve do të përdoret për financimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore, kryesisht në sektorin rrugor dhe atë hekurudhor.


Ndër projektet kryesore që do të financohen përfshihen segmenti rrugor Elbasan-Lekaj, Bypass-i i Elbasanit, zgjerimi i Autostradës Tiranë-Durrës, rehabilitimi i rrugës dytësore Tiranë-Ndroq-Plepa dhe aksi Berat–Ballaban. Financim parashikohet edhe për Qendrën e Monitorimit të Trafikut, një projekt që lidhet me përmirësimin e menaxhimit të qarkullimit rrugor.


Në sektorin hekurudhor, projektbuxheti parashikon vijimin e financimit për Hekurudhën Tiranë–Rinas–Durrës dhe Hekurudhën Vorë–Hani i Hotit. Këto projekte janë pjesë e investimeve publike të planifikuara për përmirësimin e infrastrukturës së transportit dhe lidhjeve rrugore e hekurudhore.


Rreth 100 milionë euro pagesa për koncesionet dhe kontratat PPP

Ministri i Financave u ndal edhe te detyrimet buxhetore që rrjedhin nga kontratat koncesionare dhe partneritetet publike-private. Sipas tij, pagesat vjetore neto për këto kontrata gjatë vitit 2027 parashikohen në rreth 10.05 miliardë lekë, ose afërsisht 100 milionë euro.


Malaj deklaroi se kjo shumë përfaqëson vetëm 1.3% të të ardhurave tatimore të pritshme të vitit 2026, duke mbetur dukshëm nën kufirin ligjor prej 5%. Sipas ministrit, menaxhimi i kontratave koncesionare dhe PPP-ve do të vijojë të mbështetet në mekanizmat e kontrollit dhe vlerësimit të ndikimit të tyre në financat publike.

“Monitorimi mujor, raportimi i standardizuar dhe vlerësimi i ndikimit fiskal do të vijojnë të jenë pjesë e menaxhimit të kujdesshëm të këtyre kontratave”, pohoi ai.


Në total, projektbuxheti për vitin 2027 parashikon të ardhura prej 907.9 miliardë lekësh dhe shpenzime prej 976.1 miliardë lekësh, ndërsa investimet publike, mbështetja sociale dhe financimi i detyrimeve për kontratat koncesionare mbeten ndër zërat kryesorë të planifikimit buxhetor.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat